Takimi i 28 Plenar i Egmont Group, Riga, Latvia

Njësia për Inteligjencë Financiare (NJIF-K) ka marrë pjesë në takimin e 28-ët Plenar të Egmont Group të mbajtur në Riga, Latvia, nga data 10 deri më 15 Korrik 2022. Në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare kanë marrë pjesë rreth 400 pjesëmarrës nga Njësit e Inteligjencës Financiare (NjIF), organizata vëzhguese dhe organizata ndërkombëtare.

Temat kryesore të takimit Plenar kanë qenë të përqendruara në aspektet strategjike, të fokusuara dhe konsekuente që prodhojnë rezultate të prekshme dhe të rëndësishme. Ndër të tjera, diskutimet tematike të Udhëheqësve të FIU-ve dhe pjesmarrëve tjerë në Egmont, hedhin dritë mbi mënyrat e reja për të nxitur efektivitetin e NJIF-ve në një mjedis të bazuar në rrezik duke u fokusuar në:

  • shkëmbimin shumpalësh të informacionit,
  • mënyrat për të vendosur prioritetet efektive të bashkëpunimit vendor dhe ndërkombëtar,
  • ngritjen e rolit të NJIF-K në sistemin vendas të LPP/LFT.

Në margjinat e takimeve, delegacioni i NJIF-K takoj një numër të konsiderueshëm të homologëve ndërkombëtar si dhe morri pjesë në takimet e Udhëheqësve (Drejtorëve) të NjIF-ve, mbledhjet e grupeve punuese, mbledhjet regjionale, sesionet e trajnimeve në lidhje me PPP/LFT dhe takimin plenar.

Përfaqësuesit e NJIF-K dhanë kontributin e tyre në tri grupe punuese:

  • Grupi Punues i Anëtarësimit, Mbështetjes dhe Pajtueshmërisë (MSCWG),
  • Grupi Punues për Shkëmbimin e Informatave të PP/FT (IEWG).
  • Grupi i Punës për Asistencë Teknike dhe Trajnim (TATWG). Në këtë grup punues, NJIF-K është përfaqësuar nga nënkryetari i grupit punues i cili ka udhëhequr dhe moderuar disa sesione të takimeve.

Gjithashtu, NJIF-K është përfaqësuar edhe në takimin regjional të regjionit të Evropës II.

Përveç kësaj, Njësia për Inteligjencë Financiare e Kosovës nënshkroi një marrëveshje të bashkëpunimit (MoU) me njësinë homologe nga FIU Japoni. Qëllimi i këtij memorandumi të mirëkuptimit ishte forcimi tutje i bashkëpunimit mes dy institucioneve dhe vendeve mike, në lidhje me shkëmbimin e inteligjencës financiare për luftimin e pastrimit të parave,veprave të ndërlidhura penale dhe financimit të terrorizmit.

Për fund, por jo nga rëndësia, NJIF Kosovë pranoi certifikatë mirënjohje nga Egmont për kontributin e çmuar të dhënë në Egmont Group.