Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të forcuar kapacitetet e Njësisë për Inteligjencë Financiare, Misioni i OSBE-së në Kosovë ofroi mbështetje për NJIF-K me pajisje të IT-së duke dhuruar 10 laptopë dhe 10 kompjuterë tabletë për të ndihmuar zyrtarët e NjIF-it të analizojnë në mënyrë efektive të dhënat dhe raporte, përfshirë raportet e transaksioneve të dyshimta që kanë të bëjnë me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Dorëzimi i pajisjeve vjen pas mbështetjes së Misionit të OSBE-së për të përmirësuar kapacitetet trajnuese dhe lehtësuar pjesëmarrjen e përfaqësuesve të NjIF-it në trajnimet e specializuara për luftimin e pastrimit të parave. Pas përfundimit të trajnimit, përfaqësuesit që do të certifikohen si specialistë në luftën kundër pastrimit të parave do të përdorin pajisjet e ofruara për të vënë në veprim aftësitë e reja që kanë fituar.
Gjatë ceremonisë, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Njësisë për Inteligjencë Financiare, z. Behar Xhema, i dorëzoi një pllakë mirënjohjeje Misionit të OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme ndaj NjIF-it.
Falënderojmë Misionin e OSBE-së në Kosovë për mbështetjen e vazhdueshme që janë duke dhënë për NJIF-K, që do të jetë jashtëzakonisht i dobishëm për t’i mundësuar Njësisë për Inteligjencë Financiare të rrisë efektivitetin në analiza, inspektim dhe fusha të tjera të PPP/LFT.