Nga data 2 deri më 7 Korrik 2017 është mbajtur në Macao SAR, Kinë takimi i 24-ët Plenar i Grupit Egmont. Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë 354 pjesëmarrës nga 112 Njësi të Inteligjencës Financiare (NjIF), 11 organizata vëzhguese dhe 8 organizata ndërkombëtare. Për herë të parë, NJIF Kosova (NJIF-K) është përfaqësuar në cilësinë e anëtares së plotë me të drejta të barabarta me të gjitha njësitë e tjera homologe.
Agjenda e programit të këtij takimi plenar përmbante rreth 20 aktivitete të ndryshme, duke përfshirë ngjarjet kryesore si takimet e Udhëheqësve të NjIF-eve, mbledhjet e katër grupeve punuese, mbledhjet regjionale, sesionet e trajnimeve në lidhje me PPP/LFT dhe takimin plenar. Përfaqësuesit e NJIF-K dhanë kontributin e tyre në dy grupe punuese: Grupi Punues i Anëtarësimit, Mbështetjes dhe Pajtueshmërisë (MSCWG) dhe Grupi Punues për Shkëmbimin e Informatave të PP/FT (IEWG). Gjithashtu, NJIF-K është përfaqësuar edhe në takimin regjional të regjionit të Evropës II. Për më tepër, NJIF-K mori pjesë si anëtare në takimet e Udhëheqësve të NJIF-eve dhe Komitetit Drejtues të Grupit Egmont në të cilat u shtjelluan temat kryesore si vendimet për anëtarësimin e NjIF-eve të reja dhe organizatave vëzhguese (Komisioni Evropian dhe Europol-i), çështjet e pajtueshmërisë dhe mbështetjes për juridiksione të ndryshme, përpjekjet për të përmirësuar shkëmbimin konstruktiv dhe në kohë të informacionit, të arriturat që prej krijimit të Qendrës së Grupit Egmont për Ekselencë dhe Lidership të NjiF-eve (ECOFEL). Në këtë takim, është zgjedhur edhe Presidentja i re e Grupit Egmont.
Gjatë takimit plenar janë anëtarësuar në Grupin Egmont dy anëtar të rinj, NJIF i Kuvajtit dhe NJIF i Sudanit, ndërsa është miratuar anëtarësimi i ri i NJIF nga Gjermania për shkak të riorganizimit të tij si njësi administrative. Anëtarësimet tregojnë për zhvillimet e fundit të zgjerimit të rrjetit global të Njësive të Inteligjencës Financiare.
Pjesëmarrja e NjIF-K është mbështetur nga Projekti i Përbashkët i BE/Këshillit të Evropës kundër Krimit Ekonomik (PECK II).