Më 28 prill 2015 në Prishtinë, është mbajtur konferenca përmbyllëse e Projektit të përbashkët kundër krimit ekonomik në Kosovë (PECK) të bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Këshilli i Evropës (KE) dhe implementuar nga KE. Ky Projekt ka pasur për qëllim forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Konferenca prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e Raporteve të Vlerësimit Përfundimtar (cikli 2) mbi përputhshmërinë e Kosovës me standardet ndërkombëtare në fushat Kundër Korrupsionit (KK) dhe Kundër Pastrimit të Parave dhe Luftimit të Financimit të Terrorizmit (KPP/LFT), si dhe rezultatet dhe mësimet e marra nga Projekti PECK. Konferenca mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve të nivelit të lartë të ministrive përkatëse , ekspertë ndërkombëtarë, përfaqësues kryesorë nga ana e organizatave ndërkombëtare, industria dhe shoqëria civile. Pas fjalës të Ministrit të Drejtësisë Z. Hajredin KUÇI, Ministërit të Punëve të Brendshme Z.Skënder HYSENI, Kryesuesit të Departamentit të Aksionit kundër Krimit, nga Këshilli i Evropës Z. Ivan KOEDJIKOV dhe Kryesuesit të Seksionit të Bashkëpunimit nga Zyra e BE-së në Kosovë Z.Christof STOCK, si dhe nën moderimin e zv. Ministërit për Integrim Evropian Z.Ramadan ILAZI dhe zv. Ministërit të Financave Z.Agim Krasniqi, raportet e Vlerësimit janë prezantuar nga ekspertët e Projektit.
Drejtori i Njësisë për Inteligjencë Financiare Z.Dardan Nuhiu potencoi angazhimet e NJIF-K si një nga dy institucionet kryesore vendore koordinuese që mbështetën dhe ndihmuan institucionet e tjera përfituese në kryerjen e aktiviteteve të projektit. Z.Nuhiu theksoi se Njësia e Inteligjencës Financiare në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe autoritetet tjera në vend do ta krijojnë një Plan të Veprimit për trajtimin e rekomandimeve dhe te gjeturave te prezantuara ne Raport. Ky plani i veprimit do te jetë një pikënisje për implementimin e këtyre rekomandimeve. Gjithashtu Drejtori i NJIF-K potencoi edhe veprimet e ndërmarra apo ato që do të ndërrmerren nga NJIF dhe Ministria e Financave për përmbushjen e rekomandimeve të dhëna në atë raport vlerësimi.
Vlerësimi i sistemit të Kosovës në luftimin e pastrimit të parave dhe në luftimin e financimit të terrorizmit është bazuar në Rekomandimet e FATF-së të vitit 2003 dhe në Rekomandimet e veçanta mbi Financimin e Terrorizmit të vitit 2001 të Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF). Për më tepër, në atë raport vlerësimi mbulohen gjithashtu një mori çështjesh të përzgjedhura në lidhje me Direktivat e Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të Evropës, si dhe një mori elementesh të Konventës së Këshillit të Evropës për Pastrimin, Kërkimin, Sekuestrimin dhe Konfiskimin e të Ardhurave nga Krimi dhe për Financimin e Terrorizmit. Të dy ciklet e vlerësimit janë bazuar në ligje, rregullore dhe materiale të tjera të siguruara nga autoritetet, si dhe në informatat e siguruara nga ekipi i vlerësimit dhe rrjedhimisht pas vizitës së tyre në teren. Ekspertët bënë shqyrtimin e kornizës institucionale, të ligjeve, rregulloreve, udhëzuesve dhe të kërkesave të tjera të LPP/LFT-së, si dhe të rregullatorëve dhe sistemeve të tjera të krijuara për pengimin e Pastrimit të Parave (PP) dhe Financimit të Terrorizmit (FT) përmes institucioneve financiare, dhe Biznese dhe Profesioneve të Caktuara Jo Financiare (BPCJF-të) si dhe bënë ekzaminimin e kapacitetit, zbatimit dhe efikasitetit të të gjitha këtyre sistemeve.
Ky raport ofron një përmbledhje të masave të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit të krijuara dhe të ndërmarra nga autoritetet lokale në Kosovë në datën e vizitës apo menjëherë pas saj. Raporti bën përshkrimin dhe analizën e këtyre masave, përcakton nivelet e pajtueshmërisë së Kosovës me rekomandimet FATF-së, dhe ofron rekomandime se si mund të përmirësohen aspekte të caktuara të sistemit.
Në kuadër të këtij Projektit të Përbashkët të BE/Këshillit të Evropës, NJIF-K është një nga dy institucionet kryesore vendore koordinuese që mbështesin dhe ndihmojnë institucionet e tjera përfituese në kryerjen e aktiviteteve të projektit. Dy raportet e vlerësimit të luftes kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (LPP/LFT) në Kosovë përkundrejt standardeve ndërkombëtare dhe evropiane përbëjnë dokumente referuese dhe burimore që janë të rëndësishme në përpjekjet tona të përbashkëta për të forcuar dhe për të përmirësuar parandalimin dhe luftën kundër PP dhe FT.
Ky është vlerësimi i parë i kompletuar i përputhshmërisë së Kosovës me standarde ndërkombëtare të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Vlerësimi është kryer nga një ekip vlerësimi i Projektit të Përbashkët të BE/KE kundër Krimit Ekonomik në Kosovë (PECK), i cili përbëhej nga ekspert të MONEYVAL dhe GRECO. Njëherit ky vlerësim përshkruan dhe analizon masat e LPP/LFT, si dhe ofrohen rekomandime se si disa aspekte të sistemit të luftës kundër pastrimit të parave dhe fincnimit të terrorizmit në Kosovë do të mund të fuqizoheshin.