Takim i ndërmjetëm i Egmont Grup – Rajoni Evropa II –në Kosovë 3-5 Dhjetor 2025

Prishtinë, Kosovë, 08 Dhjetor 2025 – Takimi I ndërmjetëm i Grupit Egmont, Rajoni Evropa II, është mbajtur në Prishtinë, Kosovë. Ky takim ka bashkuar anëtarët e Grupit Egmont nga rajoni për dy ditë, duke ndarë njohurit, bashkëpunimin dhe diskutime mbi luftën kundër pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Grupi Egmont i Njësive të Inteligjencës Financiare (NJIF), si një organizatë globale, lehtëson dhe nxit shkëmbimin e informacionit, njohurive dhe bashkëpunimit midis NJIF-ve anëtare. Për të forcuar koordinimin, Grupi Egmont përfaqësohet në tetë grupe rajonale, të cilat luajnë një rol të rendësishëm në arritjen e objektivave të tij të zhvillimit, ndarjes së ekspertizës dhe nxitjes së bashkëpunimit në nivel rajonal. Kjo strukturë mundëson shkëmbim të sigurt informacioni midis NJIF-ve në të gjithë botën dhe mbështet përpjekjet e përbashkëta për të luftuar pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimet e lidhura me to.

Eventi u hap me një fjalim nga Kryeministri në detyrë i Kosovës, z. Albin Kurti, i cili theksoi se “Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm në forcimin e kuadrit të saj ligjor dhe institucional në këtë fushë, me qëllim luftimin e këtyre fenomeneve dhe harmonizimin me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe zbatimin efektiv të tyre. Kjo qasje forcon më tej bashkëpunimin, kohezionin dhe koordinimin tonë. Njësia e Inteligjencës Financiare e Republikës së Kosovës ka performuar mirë dhe ka arritur rezultate të kënaqshme në identifikimin dhe gjurmimin e të ardhurave të paligjshme financiare. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në mbështetjen e saj për NjIF-in dhe autoritetet e tjera në luftimin e këtyre aktiviteteve kriminale.”

Më tej, Shkëlqesia e Tij, Ambasadori Gjerman në Kosovë, z. Rainer Rudolph theksoi se “Flukset e paligjshme financiare përbëjnë një kërcënim të madh për rendin global të bazuar në rregulla, për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare, për zhvillimin ekonomik, për buxhetet shtetërore dhe për besimin e publikut në institucione. Prandaj, puna e Njësive të Inteligjencës Financiare është me rëndësi kritike për një të ardhme të begatë, të drejtë dhe të sigurt për të gjithë ne. Gjermania kontribuon në luftën ndërkombëtare kundër flukseve të paligjshme financiare, për shembull përmes mbështetjes së gjashtë NjIF-ve në Ballkanin Perëndimor”.

Përfaqësuesit Rajonalë që përfaqësojnë Evropën II të Grupit Egmont, të përfaqësuar nga znj. Michaela Schutz dhe znj. Ghizlane Dayou, theksuan se një nga pikat e forta kryesore të rajonit është se të gjitha NJIF-et kontribuojnë me njohuri dhe përvoja të ndryshme në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Kriminelët shfrytëzojnë çdo dobësi në sisteme dhe kalojnë kufijtë. Megjithatë, NJIF-et në rajon tregojnë se së bashku mund ta bëjnë më të vështirë për kriminelët të kenë sukses.

Drejtori i NJIF-it të Kosovës, z. Genc Rraci, ndër të tjera, deklaroi se “prania e Kryeministrit Kurti këtu sot tregon një angazhim të fortë politik nga Kosova në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.Për më tepër, kjo tregon se Qeveria jonë mbështet NJIF-in e Kosovës, mbështet bashkëpunimin ndërkombëtar dhe mbështet punën e Grupit Egmont. Z. Rraci deklaroi gjithashtu se “kur ndajmë informacion dhe kur punojmë së bashku, jemi më të fortë dhe më efektivë, prandaj Grupi Egmont, dhe veçanërisht Rajoni Evropë II, është shumë i rëndësishëm për Kosovën. Ne e vlerësojmë shumë bashkëpunimin dhe mbështetjen që marrim nga të gjitha NJIF-et në këtë rajon dhe më gjerë.”

Në ditën e parë të takimit të Europa II në Kosovë, NJIf-ët nga rajoni miratuan një dokument mbi Rezultatin e Menjëhershëm 2, Rezultatin e Menjëhershëm 6 dhe Rekomandimet 29 dhe 40, i cili ishte bashkë-drejtuar nga NJIF i Azerbajxhanit dhe NJIF i Gjibraltarit. Dokumenti i hartuar rishtazi shqyrton 23 Raporte Vlerësimi të Ndërsjellë të FATF dhe MONEYVAL, dhe identifikon pikat e forta, dobësitë sistemike dhe veprimet e rekomanduara të përbashkëta që ndikojnë në rezultatet efektive në përdorimin e inteligjencës financiare dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Një prezantim i mbajtur nga NJIF i Gjibraltarit theksoi punën e konsiderueshme analitike të ndërmarrë për të shqyrtuar dhe koduar gjuhën e detajuar të MER-ve, duke hartuar temat ndërsektoriale që pasqyrojnë sfidat operacionale në të gjithë rajonin. Ai gjithashtu përshkroi gjetjet kryesore të dokumentit, veçanërisht nevojën kritike për të forcuar përdorimin e inteligjencës së NJIF-ve nga Agjencionet e Zbatimit të Ligjit, për të përmirësuar cilësinë e RTD-ve, për të përmirësuar analizën operacionale dhe strategjike dhe për të përforcuar kornizat e koordinimit. Udhëheqësit e projektit kanë propozuar më tej prioritete trajnimi të hartuara për të adresuar këto boshllëqe dhe për të mbështetur juridiksionet në avancimin e efektivitetit të tyre të LPP/LFT në përputhje me standardet e FATF.

Dokumenti është një mjet shumë i dobishëm për juridiksionet, dhe është marrë një vendim për ta ndarë dokumentin me rajone të tjera të Egmont dhe organe ndërkombëtare për të mbështetur mësim më të gjerë nga kolegët.

Grupi Rajonal i Evropës II të Egmont do të vazhdojë të mbështesë qëllimet e Grupit Egmont për nxitjen e zhvillimit, rritjen e bashkëpunimit dhe lehtësimin e shkëmbimit të përvojave në nivel rajonal.

NJIF-K dëshiron të shprehë falënderimet e saj të sinqerta për Grupin Egmont dhe GIZ (Die Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit) për mbështetje në organizimin e shkëlqyer të këtij eventi të frytshëm. Për më tepër, NJIF-K dëshiron gjithashtu të shprehë mirënjohje për Përfaqësuesit Rajonalë dhe të gjitha Njësitë e Inteligjencës Financiare që u bashkuan dhe kontribuan në suksesin e takimit.