NjIF-K nën mbështetjen e Këshillit të Evropës përmes projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës kundër Krimit Ekonomik (PECK III) me datë 20 dhe 21 qershor 2024 organizoi takim që shërbeu si platformë diskutimi dhe koordimimi për Ekipin Punues të caktuar për hartimin e ndryshimeve të Ligjit për PPP/LFT, me qëllim të përafrimit të mëtejshëm të legjislacionit vendor me standardet ndërkombëtare të FATF dhe direktivat përkatëse të BE-së në këtë fushë.
Takimi mblodhi së bashku përfaqësues të ekipit punues të përbërë nga Njësia për Inteligjencë Financiare, Policia, Prokuroria, , Banka Qendrore, Administrata Tatimore, Dogana e Kosovës, Shoqëria Civile, Shoqata e Bankave, përfaqësues nga auditorët dhe kontabilistët e certifikuar, agjencionet e transfereve të parave etj. Tutje, me qëllim të marrjes së praktikave të mira ndërkombëtare, të ftuar ishin edhe përfaqësues nga ambasadat të ndryshme dhe ekspert nga projekte dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Pjesëmarrësit përfituan nga shkëmbimi gjithëpërfshirës me eksperten e Këshillit të Evropës për çështjet më të diskutueshme që mbulojnë pjesë të ndryshme të Ligjit për PPP/LFT duke përfshirë asetet virtuale, ofruesit e shërbimeve të aseteve virtuale, organizatat jofitimprurëse, masat e kujdesit të duhur ndaj klientit, raportimin e transaksioneve të dyshimta, etj.