Njësia për Inteligjencë Financiare me datë 16/04/2019 ka mbajtur trajnim lidhur me Obligimet Ligjore për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit (PPP/LFT) të Auto Salloneve si subjekte raportuese sipas nenit 16 paragrafi 1.5 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimit të Terrorizmit.
Ky trajnim është organizuar me qëllim të sigurimit dhe promovimit të pajtueshmërisë me legjislacionin në fuqi për PPP/LFT. Trajnimi kishte për fokus veprimet dhe masat që duhet të ndërmerren nga ana e Auto Salloneve me qëllim të zbatimit të obligimeve të tyre ligjore për PPP/LFT. Ndër të tjera gjatë këtij trajnimi u diskutua çështjet si në vijim:
- Rregullorja për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit;
- Kujdesi i duhur ndaj klientëve;
- Kujdesi i duhur i shtuar ndaj klientëve;
- Raportimi dhe mënyra e raportimit në NJIF-K;
- Inspektimi i Pajtueshmërisë, dhe
- Shkeljet dhe Sanksionet Administrative sipas Ligjit për PPP/LFT.
Ky trajnim u mbyll me diskutimin për sfidat aktuale dhe prioritetet lidhur me bashkëpunimin në mes të NJIF-K dhe Auto Salloneve, kështu duke u pajtuar në:
- Vazhdimin e “ndërtimit” dhe ngritjes së bashkëpunimit në mes të NJIF-K dhe Auto Salloneve;
- Konsultimi lidhur me hartimi e akteve nënligjore me qëllim të implementimit të ligjit, si dhe
- Ofrimin e trajnimeve kurdo që vlerësohet se është e nevojshme.