Njësia për Inteligjencë Financiare në Kosovë dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) kanë lansuar sot raportin e parë mbi tipologjitë e pastrimit të parave nga personat e ekspozuar politikisht në Kosovë.
Gjatë prezantimit, drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës, Dardan Nuhiu foli për të gjeturat e raportit.
Ai shpreson se kjo tipologji do të jetë mbështetje për institucionet e Republikës së Kosovës që merren me marrjen e masave parandaluese të këtyre dukurive.
“Për më tepër është bërë përpjekje maksimale të kemi një kornizë ligjore të zbatueshme për vendin dhe në harmoni me standardet ndërkombëtare. Është nxjerr një numër i konsiderueshëm i legjislacionit sekondar. Janë kryer vlerësime të rreziqeve nacionale dhe sektoriale. Janë hartuar Strategji nacionale me qëllim të parandalimit dhe luftimit sa më efektiv të pastrimit të parave dhe krimeve financiare në përgjithësi. Janë mbajtur trajnime me një numër të kënaqshëm të subjekteve raportuese”, ka thënë Nuhiu.
Sipas tij, numri i rezultateve të analizave të shpërndara nga NJIF-K ka shënuar rritje nga viti në vit.
“Si rezultat i anëtarësimit të Egmont Group, është shënuar progres i theksuar i shkëmbimit ndërkombëtar të informacionit dhe ngritje e nivelit të bashkëpunimit ndërkombëtar. Bashkëpunimi ndër-institucional mbetet ndër prioritetet kryesore të njësisë. E gjithë kjo është arritur falë vullnetit dhe përpjekjeve maksimale të gjithë stafit të NJIF-it”, ka thënë tutje Nuhiu.