Bankat dhe institucionet financiare: raportimi tek NJIF-K-ja
Bankat dhe institucionet financiare do të raportojnë tek NJIF-K-ja, sipas mënyrës dhe formës së specifikuar nga NJIF-K-ja:
- të gjitha aktet ose transaksionet e dyshimta brenda njëzetekatër (24) orëve nga koha kur akti ose transaksioni është identifikuar si i dyshimtë;
- të gjitha transaksionet individuale në vlerë prej dhjetëmijë (10.000) Euro ose më shumë. Transaksionet e shumëfishta do të trajtohen si një transaksion individual nëse banka apo institucioni financiar është në dijeni se transaksionet janë nga apo në emër të një personi ose subjekti dhe kapin vlerën prej më shumë se dhjetëmijë (10.000) Euro në një (1) ditë të vetme.
Detyrimet e raportimit të OJQ-ve
OJQ-të i raportojnë NJIF-K-së të gjitha aktet apo transaksionet e dyshimta brenda tri (3) ditëve të punës dhe para ndërmarrjes së veprimeve të mëtejme lidhur me aktin apo transaksionin e tillë.
Detyrimet shtesë të partive politike dhe kandidatëve të regjistruar
Partitë politike i raportojnë NJIF-K-së për akte ose veprime bankare të dyshimta brenda tri (3) ditëve të punës dhe para ndërmarrjes së veprimeve të mëtejme lidhur me aktin apo transaksionin e tillë.
Detyrimet shtesë të avokatëve, noterëve, kontabilistëve të certifikuar, auditorëve të licencuar dhe këshilltarëve tatimor (më tutje “profesionistët në fjalë”)
Raportimi
Çdo profesionist në fjalë i cili, gjatë kryerjes së shërbimeve për klientin, pranon para nga klienti në shumë prej dhjetëmijë (10.000) Euro apo më shumë, për një transaksion ose transaksione të lidhura me të, do të dorëzojë raport tek NJIF-K-ja brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga transaksioni i raportueshëm. Transaksioni gjithashtu do të raportohet nëse profesionisti në fjalë i pranon paratë si ndërmjetësues, që do të thotë se ai ose ajo tenton të transferojë paratë tek pala e tretë në emër të klientit. Transaksioni nuk do të ndahet në transaksione të shumta për t’iu shmangur raportimit sipas këtij neni.
Kontabilistët e certifikuar dhe auditorët e licencuar do t’i raportojnë NJIF-K-së për çdo lloj akti apo transaksioni të dyshimtë brenda tri (3) ditëve të punës dhe para ndërmarrjes së veprimeve të mëtejme lidhur me aktin apo transaksionin e tillë. Raportet do të përgatiten në formën dhe mënyrën e rekomanduar nga NJIF-K-ja.
Përveç rasteve të parapara në paragrafin 9. të këtij neni, avokatët e angazhuar në aktivitete specifike do t’i raportojnë NJIF-K-së për akte apo transaksione të dyshimta brenda tri (3) ditëve të punës dhe para ndërmarrjes së veprimeve të mëtejshme lidhur me aktin ose transaksionin e tillë. Në aktivitete specifike përfshihen:
- ndihma ose përfaqësimi i klientit apo klientëve në:
- blerjen apo shitjen e pasurisë së paluajtshme ose të organizatave të
biznesit;
- trajtimin e parave të klientit, letrave me vlerë ose pasurisë tjetër;
- hapjen ose menaxhimin e llogarive bankare, librezave të kursimit ose llogarive të letrave me vlerë;
- organizimin e kontributeve të nevojshme për krijimin, funksionimin ose menaxhimin e kompanive;
- krijimin, funksionimin ose menaxhimin e kompanive, trusteve ose strukturave të ngjashme; ose
- të vepruarit në emër të klientit ose për klientin në çfarëdo transaksioni financiar apo transaksion mbi të drejtat në pasurinë e paluajtshme.
Zyra Kadastrale Komunale (ZKK)
Zyra Kadastrale Komunale (ZKK) nuk do ta regjistrojë transferin e të drejtave mbi pasurinë e paluajtshme derisa nuk pranon, krahas dokumenteve të tjera që paraqiten në pajtim me ligjin për regjistrimin e transferit, një deklaratë, në mënyrën dhe formën e saktësuar nga NJIF-K-ja, të nënshkruar nga transferuesi dhe pranuesi.
Detyrimet shtesë të kazinove dhe shtëpive tjera të lojërave të fatit
Kazinotë dhe Objektet e licencuara të lojërave të fatit duhet të raportojnë tek NjIF-ja, në mënyrën dhe në formatin e specifikuar nga NjIF-ja:
- të gjitha aktet e dyshimta, transaksionet apo transaksionet e tentuara brenda njëzet e katër (24) orëve nga koha kur akti, transaksioni apo transaksioni tentativë i identifikuar si i dyshimtë;
- të gjitha transaksionet e vetme në monedhë prej dhjetëmijë (10,000) euro ose më shumë. Transaksione të shumta të ndërlidhura do të trajtohen si një transaksion i vetëm, nëse Kazinoja, Objekti i lojërave të fatit apo Objekti i licencuar i lojërave të fatit di, apo është dashur të dijë, se transaksionet nga ose në emër të një personi ose subjekti dhe të totalit më shumë se dhjetë mijë (10,000) euro në një ditë të vetme të lojërave të fatit.
Qarkullimi i mjeteve monetare brenda dhe jashtë Kosovës – Detyrimi për të deklaruar
Doganat e Kosovës do të marrin të gjitha masat e duhura për parandalimin e shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit dhe do ta raportojnë tek Njësia e Inteligjencës Financiare e Republikës së Kosovës çdo transaksion të dyshimtë ose financimin e dyshuar të terrorizmit që zbulon gjatë kryerjes së detyrave të saj. Doganat e Kosovës do të mbajnë lidhje me NJIF-K-në, prokurorët, policinë dhe organet tjera përkatëse për qëllimin e kryerjes së këtyre detyrave.
Shitësit në metale të çmuara dhe tregtarët në gurë të çmuar
Shitësit në metale të çmuara dhe tregtarët në gurë të çmuar do të raportojnë çdo akt apo transaksion të dyshimtë tek NjIF-ja brenda tri (3) ditëve të punës dhe para ndërmarrjes së veprimeve të mëtejshme në lidhje me ndonjë transaksion të tillë apo akter. Raportet do të përgatiten në formën dhe mënyrën e rekomanduar nga NJIF-ja.
Kompanitë e ndërtimit
Kompanitë e ndërtimit do të raportojnë çdo akt apo transaksion të dyshimtë tek NjIF-ja brenda tri (3) ditëve të punës dhe para ndërmarrjes së veprimeve të mëtejshme në lidhje me ndonjë transaksion të tillë apo akter. Raportet do të përgatiten në formën dhe mënyrën e rekomanduar nga NJIF-ja.